
Ambasadori i Zvicrës Christoph Graf dhe Ministri i Financave Shkëlqim Cani nënshkruan sot një marrëveshje të re e cila lejon përditësimin e bazës kompjuterike të të dhënave dhe aftësive të personelit për një menaxhim më të mirë të borxhit publik. Nënshkrimi u krye në Ministrinë e Financave për projektin që do të zbatohet nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi Tregëtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) dhe ka vlerën e rreth 450,000 USD.
“Shqipëria ka nevojë për një kuadër të fortë dhe të provuar të menaxhimit të borxhit, të aftë për të ndërtuar qëndrueshmëri në afat të gjatë, dhe për t’iu përshtatur kushteve në ndryshim të mjedisit financiar”, tha Ambasadori Christoph Graf gjatë fjalimit të tij. “Regjistrimi, magazinimi dhe raportimi i të dhënave të sakta mbi borxhin hap rrugën për një menaxhim dhe vendim-marrje të mirë. Në terma konkretë, ky projekt do të përditësojë një program kompjuterik të menaxhimit të borxhit dhe analizës financiare për të kapur, magazinuar dhe analizuar të dhënat, i cili quhet DMFAS (Sistemi i Menaxhimit të Borxhit dhe Analizës Financiare). Projekti gjithashtu do të ndërtojë kompetenca dhe trajnojë stafin e ekspertëve mbi validimin e të dhënave të borxhit dhe statistikat”, shtoi Ambasadori Graf.
Nëpërmjet marrëveshjes, Qeveria Zvicerane angazhohet të financojë projektin për instalimin në Ministrinë e Financave të versionit 6 të programit të menaxhimit të borxhit dhe analizës financiare (DMFAS) që synon mirëmenaxhimin e borxhit dhe ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin e integruar të tij.
Ministri i Financave Shkëlqim Cani falënderoi Qeverinë e Zvicrës nëpërmjet ambasadorit Christoph Graf, si dhe "të gjithë partnerët ndërkombëtarë të cilët në vazhdimësi kanë dhënë mbështetje në reformat e ndërmarra nga vendi ynë në kuadër të manaxhimit të financave publike”. Ai shtoi se “strategjia e re e menaxhimit të financave publike përshkruan iniciativat kyçe të reformës që do të zbatohet deri në vitin 2020, ku përmendim efektet vjetore të kontrollit të angazhimeve dhe përmirësimin e menaxhimit të thesarit”.
Zvicra, përmes Sekretariatit të Shtetit për Çështje Ekonomike (SECO) ka mbështetur në mënyrë aktive përmirësimin e treguesve makroekonomikë, mjedisit të biznesit, dhe sektorit privat. Kontributi zviceran për Ministrinë e Financave është rritur në vitet e fundit duke mbështetur objektivin e arritjes së një buxheti të balancuar më mirë dhe të qëndrueshëm, ndërsa nisma të reja do të jenë ato që përfshijnë kontabilitetin publik, sistemin e planifikimit të integruar, administrimin e taksave, statistikat financiare të qeverisë dhe menaxhimin e borxhit, me rreth 6 milionë Franga zvicerane. Mbështetja zvicerane për reformat dhe tranzicionin në Shqipëri për vitet 2014-2017 shkon në rreth 90 milionë Franga zvicerane në fusha si zhvillimi ekonomik, decentralizimi, energjia dhe shëndetësia.