Një sistem i ri furnizimi dhe kapacitete të rritura të ndërmarrjes së ujësjellësit në Gjirokastër sigurojnë ujë 24 orë për qytetarët

Press releases, 27.01.2023

Përmes një investimi të përbashkët gjermano-zviceran, Gjirokastra përuron përfundimin e punëve për përmirësimin e performances së ndërmarrjes së ujësjellësit dhe për zgjerimin e furnizimit me ujë të pijshëm

Swiss Ambassador in Albania Ruth Huber (centre right) unveiling the plaque at Gjirokastër water utility with Mayor Flamur Golemi (centre left) and KfW representative Arne Gooss (right).
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri Ruth Huber (qendër djathtas) duke zbuluar tabelën tek ujësjellësi i Gjirokastrës me Kryetarin e Bashkisë Flamur Golemi (qendër majtas) dhe përfaqësuesin e KfW Arne Gooss (djathtas). © Bashkia Gjirokastër

Ambasadorja zvicerane Ruth Huber ju bashkua partnerëve gjermanë nga KfW dhe Kryetarit të Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi në përurimin e punëve të kryera nën Programet për Infrastrukturën Bashkiake III dhe IV. Të pranishëm në ceremony ishin edhe përfaqësuesi i KfW Arne Gooss dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturë së Mbetjeve (AKUM) Klevis Jahaj. Zyrtarët zbuluan tabelën tek zyrat e reja të ndërmarrje rajonale të ujësjellësit, prenë shiritin tek stacioni i ri i pompave dhe vizituan një rezervuar të ri uji.  

“Shoh me kënaqësi që ndërmarrja e ujësjellësit ka kapacitete të forcuara dhe qytetarët e Gjirokastrës do të shijojnë tashmë furnizimin me ujë 24 orë. Për këtë qytet të mbrojtur nga UNESCO kjo është një hap shumë i rëndësishëm që shkon bashkë me disa projekte të tjera të mbështetjes sonë këtu në fushat e turizmit të qëndrueshëm, bashkive të forta dhe financave vendore”, tha Ambasadorja zvicerane Ruth Huber.

“Është e rëndësishme që kontributi financiar gjerman në rastin e Gjirokastrës është zbatuar në mënyrë efiçente dhe ka kontribuar për përmirësimin e standardeve të jetesës për qytetarët dhe për mbrojten e burimeve ujore në këtë zonë”, tha Kreu i Divizionit për Infrastrukturën Bashkiake të KfË, Arne Gooss.

“Përmirësimi i furnizimit me ujë për qytetarët ka qenë një përparësi kryesore për ne dhe ky është një hap me rëndësi. Bashkia do të vazhdojë përpjekjet për të përmirësuar gjithashtu edhe rrjetin e kanalizimeve. E vlerësoj shumë punën e mirë dhe bashkëpunimin me programin gjermano-zviceran dhe i falëndëroj për kontributin”, tha Kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi.

Punët rindërtuese të përfunduara ishin pjesë e programit të infrastrukturës me nje financim total prej 8.2 milion Euro nga ku qeveria gjermane dha mbi 7 million Euro dhe qeveria zvicerane dha mbi 1 milion Euro. Si rezultat, kapacitetet menaxhuese të ndërmarrjes së ujësjellësit Gjirokastër janë përmirësuar ndjeshëm, furnizimi me ujë është zgjeruar për të përfshirë furnizim 24 orë më ujë të pijshëm, dhe niveli i kënaqësisë tek qytetarët është rritur. Duke qenë se turizmi ka rëndësi për qytetin, punët kontribuojnë më tej për krijimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët, vizitorët dhe turistët.

Programi është zgjerim i fazave të mëparshme (MIP I&II) dhe synon të përmirësojë furnizimin me ujë dhe kanalizimet ne bashkitë Gjirokastër, Delvinë, Lushnje, Berat, Kuçovë, Kamëz, Librazhd, dhe Prrenjas, duke siguruar furnizim të besueshëm me ujë të pastër dhe duke mundësuar që ndërmarrjet të mbulojnë kostot e punës. Ky kontribut për përdorimin efiçent të burimeve ujore dhe për mbrojtjen e mjedisit synon gjithashtu të përmirësojë kushtet e jetesës, të punës dhe ato shëndetësore të popullsisë në këto qytete të Shqipërisë. Si pjesë e programit, u ndërtuan ose u rehabilituan tubat transportues, rrjetet e ujit dhe të kanalizimeve, rezervuaret dhe impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, si dhe u instaluan metrat matës nëpër banesa.

Në Shqipëri, KfW zbaton Bashkëpunimin Financiar Gjerman dhe jep ndihmë në formë grantesh si dhe hua koncesionale për investime kyç dhe për shërbime që lidhen me konsulenca për projekte. Bashkëpunimi gjerman me Shqipërinë nisi në 1988. Që atëherë qeveria gjermane ka përkushtuar mbi një milliard Euro. Sektori i ujit është një fushë me përparësi brenda programit me Shqipërinë, për të cilin qeveria gjermane ka përkushtuar mbi 364 milion Euro që nga 1988.

Programi i bashkëpunimit zviceran në Shqipëri përfshin mbështetje në fushën e shërbimeve infrastrukturore dhe kontributi për programin e infrastrukturës bashkiake vjen nga Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështjet Ekonomike SECO.