Ministra nga qeveria dhe përfaqësues nga institucionet ndërkombëtare u takuan të diskutojnë se si të përdoret sektori financiar për t’u përballur me sfidat e ndryshimeve klimatike. Konferenca u prit nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF) me mbështetje nga SECO dhe Banka Botërore.
“Ndryshimet klimatike dhe sektori financiar janë të lidhura. Çdo efekt negative i ndryshimeve klimatike do të thotë me siguri një barrë e shtuar për financat. Nga ana tjetër, sektori financiar mund të udhëhiqet drejt investimeve të zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të gjelbra. Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur këtu sot, në këtë konferencë”, tha Ambasadorja zvicerane Ruth Huber.
“Regullatorët dhe mbikëqyrësit kanë rol thelbësor lidhur me krijimin e kushteve që nxisin investime të gjelbra, rritjen e kërkesave për transparencë dhe promovimin e nevojës për orientim të kapitalit drejt investimeve të qëndrueshme” tha Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare Ervin Mete.
Konferenca përfshiu sesione me panele të përbëra nga disa ministra të qeverisë dhe përfaqësues nga Banka Botërore, Banka e Shqipërisë, dhe institucione të tjera financiare. Gjithashtu u diskutuan rezultatet e një raporti të Bankës Botërore mbi gjendjen e financave të gjelbra në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor. U prezantuan disa rekomandime për sturkturat qeveritare, autoritetet mbikqyrëse dhe institucionet financiare.
Zhvillimet e fundit kanë theksuar nevojën që vendet dhe qeveritë duhet të konsiderojnë se si sektori financiar mund të përgatitet më mirë për t’u përballur me rreziqet mjedisore dhe ndryshimet klimatike.
AFSA është mbështetur nga Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështjet Ekonomike SECO që nga 2015 për forcimin e kapaciteteve.