Tiranë, 9-10 korrik 2015
Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me ambasadën e Zvicrës në Shqipëri organizoi në Tiranë Konferencën Rajonale "Raportimi i fqinjëve në Median ballkanike". Në konferencë morën pjesë studiues, gazetarë, ekspertë të medias, përfaqësues të organizatave të mediave nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
Në konferencë u paraqitën për herë të parë të dhëna interesante se si portretizohen fqinjët në vendet e Ballkanit. Rezultatet e studimeve u paraqitën pas një pune disa mujore kërkimore të ekspertëve nga vendet e mësipërme. Konkluzionet e tyre nënvizojnë se ndërsa zhvillime të reja po ndodhin në fushën e bashkëpunimit rajonal, stereotipet e vjetra dhe gjuha e urrejtjes janë të pranishme kur është fjala për vendet dhe kombet e tjera.
Ekspertët që punuan në këtë projekt u fokusuan në mediat elektronike, shtypin e shkruar dhe mediat online.
Konferenca përmbylli një projekt rajonali i cili analizoi prirjet kryesore në mediat e rajonit përsa i përket raportimit të fqinjëve. Studiues të pavarur nga vendet e rajonit kontribuan me punimet e tyre, të cilat analizuan ndryshimet pozitive në mbulimin e fqinjëve në media, por edhe aspekte negative të këtij mbulimi.
Të përmbledhura në një botim të posaçëm, studimet e realizuara japin një pasqyrë komplekse të rolit që luan media në marrëdheniet ndërmjet fqinjëve. Pavarësisht ndryshimeve të pamohueshme të dekadës së fundit, ende nuk mund të thuhet se stereotipet negative dhe paragjykimet historike, i përkasin së kaluarës. Si i pasqyrojmë fqinjët në media kur konfliktet e Ballkanit janë diçka e kaluar dhe vendet e tjera të rajonit gjenden në procesin e integrimit Euro-Atlantik? Cili është imazhi i Tjetrit në median e rajonit? Cili është impakti i procesit të integrimit europian në mënyrën se si vendet e Ballkanit Perëndimor shohin njëri tjetrin? Cili është roli i medias së re dhe medias sociale në krijimin e perceptimit për njëri tjetrin? Përgjigjet e këtyre pyetjeve gjenden në botimin që u paraqit gjatë Konferencës. Sikurse shkruan në parathënien e botimit ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, ky botim hap një rrugë për dialog dhe për të kuptuar më mirë njëri tjetrin mes aktorëve të medias në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë dy ditëve të konferencës pjesëmarresit diskutuan për rrugët dhe mjetet për ta çuar përpara këtë dialog. Ambasada e Zvicrës financoi projektin studimor dhe publikimin final si pjesë e mbështetjes për zhvillimin e standardeve mediatike dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.