Zvicra, Norvegjia dhe UNDP financojnë 30 respiratorë për të ndihmuar Shqipërinë të përballojë COVID-19


Diese Seite ist nicht auf Deutsch übersetzt. Bitte wählen Sie Ihre bevorzugte Sprache aus:

Press releases, 10.04.2020

Një kontribut i ri prej 700,000 USD nga tre donatorët ndërkombëtarë i shtohet 54 respiratorëve të siguruar tashmë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Nënshkrim virtual i marrëveshjes për blerjen e respiratorëve nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu (majtas lart), Ambasadori zviceran Adrian Maître (djathtas lart), Përfaqësuesja e UNDP Lymia Eltayeb (majtas poshtë), dhe Ambasadori norvegjez Jens Erik Grondahl (djathtas poshtë).
Nënshkrim virtual i marrëveshjes për blerjen e respiratorëve nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu (majtas lart), Ambasadori zviceran Adrian Maître (djathtas lart), Përfaqësuesja e UNDP Lymia Eltayeb (majtas poshtë), dhe Ambasadori norvegjez Jens Erik Grondahl (djathtas poshtë). © FDFA

Një marrëveshje e përbashkët partneriteti u nënshkrua sot virtualisht midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ambasadës së Zvicrës, Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë për Shqipërinë, dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNDP), e cila thekson mbështetjen ndaj autoriteteve të shëndetësisë në Shqipëri për të luftuar COVID-19 përmes blerjes së 30 respiratorëve.

Ky kontribut plotëson angazhimin e qeverisë shqiptare për rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e një numri të mjaftueshëm të makinerive jetë-shpëtuese për trajtimin e pacientëve të COVID-19 në terapi intensive.

Qeveria zvicerane po dhuron 330,000 USD, qeveria norvegjeze po jep përafërsisht 300,000 USD, dhe UNDP 100,000 USD. Të 30 respiratorët pritet të arrijnë në Shqipëri në dy javët e ardhshme dhe do t’i dorëzohen Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. 

“Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar me rritjen e kapaciteteve ne luftën kundër COVID-19. Në këtë situatë po perballemi me më shumë të panjohura sesa të njohura dhe e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë armik të padukshëm është të bashkojmë forcat. Ndaj, mbështetja juaj me pajisjet jetë-shpëtuese në këto ditë të vështira në përballjen me COVID19 është shumë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të sistemin shëndetësor publik në Shqipëri”, theksoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu. 

“Qeveria e Shqipërisë përcaktoi që një nga nevojat kryesore në menaxhimin e krizës së koronavirusit ishte sigurimi i makinave respiratore. Këto makina bëjnë diferencën midis jetës dhe vdekjes për shumë njerëz. Për ne është kënaqësi që mundëm t’i përgjigjemi shpejt kërkesës tuaj dhe të kontribuojmë së bashku për blerjen e 30 respiratorëve shtesë për spitalet e Shqipërisë”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.

Ambasadori i Norvegjisë për Shqipërinë, Jens Erik Grondahl theksoi: “Në një kohë shumë të vështirë, e cila po i rëndon shumë shërbimet e shëndetit publik, është e nevojshme të tregojmë solidaritet dhe të bëjmë cfarë kemi mundësi për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta në mundjen e pandemisë. Për këtë arsye, Norvegjia është krenare që mbështet përpjekjet kombëtare të Shqipërisë kundër pandemisë COVID-19 duke siguruar fonde për blerjen e menjëhershme të respiratorëve në një partneritet të pa-precedentë me Qeverinë Shqiptare, Zvicrën dhe UNDP.”

“Në këtë kohë të paprecedentë, UNDP qëndron në krah të Shqipërisë”, tha Përfaqësuesja e Përhershme në Shqipëri e UNDP, Limya Eltayeb. “Kjo nismë demonstron fuqinë e partneriteteve për të ndihmuar shtetet të adresojnë shqetësime kritike shëndetësore në mes të pandemisë globale. Jemi të lumtur të bashkojmë forcat me Qeverinë Zvicerane dhe atë Norvegjeze për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve shëndetësore me pajisje kritike të emergjencave mjekësore të cilat mund të shpëtojnë jetë njerëzish”.

Rasti i parë i konfirmuar i COVID-19 u regjistrua në Shqipëri më 9 mars dhe deri tani janë 416 raste të konfirmuara. Menjëherë pas shpërthimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përcaktoi blerjen e respiratoreve si një nga prioritetet më të rëndësishme për qeverinë e Shqipërisë.

Sapo të arrijnë në Shqipëri, të 30 respiratorët do të jenë nën zotërim dhe mirëmbajtje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.