Shfaqje arti bashkëkohor adreson çështjet sociale në Shqipëri

Press releases, 04.10.2018

Fondi Kulturor Zviceran mundëson shfaqjen inovatore 'Kafsha e Keqe' në hapësirën e artit bashkëkohor Bazament në Tiranë

Performance artists from Haveit Collective during the opening night of 'Wild Animal'.
Artiste performuese nga Haveit Collective gjatë natës së hapjes së 'Kafsha e Keqe'. © Gerta Xhaferaj

Problematika sociale e edukimit dhe efektet e mallkimeve të prindërve mbi fëmijët e tyre, u reflektuan në mbrëmjen e së Enjtes në hapësirën e artit bashkëkohor Bazament. “Kafsha e Keqe” nga kolektivi Haveit ndërthur instalacionin artistik me performancën, për të përcjellë mesazhin kyç.

 “Artistët e rinj dhe të sapodalë në Shqipëri kanë shumë sfida”, tha Z. Philipp Keller, zëvendës shefi i misionit në Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri. “Fondi Kulturor Zviceran ka synim të krijojë lidhje më të forta mes artit dhe kulturës nga vende të ndryshme – në rajon dhe më tej”, shtoi ai.

“Çfarë quajmë art bashkëkohor është arti i kësaj epoke. Një reflektim i së tashmes, i shoqërisë sonë sot dhe këtu. Së bashku me ekspertët tanë, ne pamë tek Bazament, një prurje premtuese në fushën e artit bashkëkohor”, tha Kleidi Eski, përfaqësues i Fondit Kulturor Zviceran.

“Mbështetja nga Fondi Kulturor Zviceran na ka siguruar liri të plotë krijuese në realizimin e projektit”, tha Genti Korini, bashkëthemelues i Bazament.

Së bashku me një komunitet vizitorësh të rregullt të galerisë, të pranishëm në aktivitet ishin me dhjetëra artistë dhe përfaqësues të sektorit të kulturës.

Gjatë performancës së hapjes, në shtatë tabela LED u shfaqën fraza dhe fjalë mallkimesh të mbledhura nga zhargoni i familjeve shqiptare. Ndërkohë, katër artistet qëndronin të palëvizura në qoshet e dhomave të galerisë, duke mbajtur në duar fshesa me korrent. Me një vështrim të ngrirë dhe distant, dyshet e motrave Hana dhe Vesa Qena si dhe Alketa dhe Lola Syla ndiznin dhe fiknin herë pas here fshesat me korrent, në ironi me punët e amvisave.

Instalacioni artistik i objekteve të performancës do të ekspozohet në Bazament Art Space deri në datën 24 Tetor.

Fondi Kulturor Zviceran është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i cili synon të mbështesë artistë të rinj dhe të sapodalë përmes granteve, programeve të bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të kapaciteteve. Projekti zbatohet nga Centre for Business Technology and Leadership (CBTL).