Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi pret ambasadorin e sapo akredituar të Zvicrës Adrian Maître

Press releases, 07.11.2018

Në takimin e parë me Ambasadorin e ri zviceran Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mbështetjen që Zvicra i jep Shqipërisë

Swiss Ambassador Adrian Maître (left) with Albania's Speaker of Parliament Gramoz Ruçi
Ambasadori zviceran Adrian Maître (majtas) me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi ©Flor Abazi

“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Zvicrës janë të shkëlqyera. Zvicra është një partner besnik i Shqipërisë që nga viti 1992. Këto marrëdhënie mbështeten në miqësinë, respektin reciprok dhe bujarinë e dy popujve tanë”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Z. Ruçi vlerësoi si mbështetjen e Zvicrës për zhvillimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ashtu edhe  mbështetjen e ofruar për komunitetin shqiptar në Zvicër për tu integruar në vendin pritës si edhe për të ruajtur gjuhën dhe kulturën kombëtare. Ai vlerësoi Strategjinë Zvicerane të Zhvillimit për Shqipërinë për periudhën 2014-2017 dhe 2018-2022 dhe e konsideroi atë një “modus operandi” të bashkëpunimit zviceran, duke vënë në dukje fleksibilitetin e kësaj strategjie për plotësimin e nevojave strategjike të zhvillimit të Shqipërisë. Ndërkohë, bashkëpunimi ekonomik mund dhe duhet të fuqizohet, për të pasqyruar më mirë potencialin e vendeve tona.

“Pritja nga Kryetari i Kuvendit është një nder për mua; institucioni i parlamentit është shumë i rëndësishëm për një vend demokratik. Ja pse ne po forcojmë bashkëpunimin me parlamentin shqiptar përmes një projekti që nis së shpejti bashkë me OSBE dhe Institutin Demokratik Kombëtar (NDI)”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.

Ambasadori Maître theksoi se një nga synimet e mbështetjes zvicerane në Shqipëri është t’i bëjë institucionet më efektive.

Gjatë takimit u disktua edhe mbështetja më e fundit zvicerane për parlamentin shqiptar, projekti PACEP i cili ka nisur punën për fuqizimin në katër vitet e ardhshme të funksioneve të Kuvendit. Mbështetja zvicerane do të jepet për përmirësimin e punës përfaqësuese, ligjvënëse dhe mbikëqyrëse të parlamentit.

Projekti i ri PACEP është pjesë e Strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran 2018-2021 dhe është hera e parë që mbështetja zvicerane shtrihet edhe për organin legjislativ më të lartë në vend. Financimi vjen nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.