Berati i jep titullin ‘Qytetar Nderi’ Ambasadorit zviceran në Shqipëri Christoph Graf

Press releases, 09.02.2018

Kryetari i Bashkisë Berat Petrit Sinaj mbajti ceremoninë për dhënien e titullit ‘Qytetar Nderi’ Ambasadorit zviceran Christoph Graf

Mayor of Berat Petrit Sinaj with Swiss Ambassador Christoph Graf (centre) and Chairwoman of Municipal Council Nikoleta Manka during the honorary citizenship award ceremony
Kryebashkiaku i Beratit Petrit Sinaj me Ambasadorin Christoph Graf (qendër) dhe Kryetaren e Këshillit Bashkiak Nikoleta Manka gjatë ceremonisë së dhënies së qytetarisë së nderit. © EDA

Një emër i ri i shtohet listës së qytetarëve të nderit të Beratit: Christoph Graf, Ambasadori aktual i Zvicrës në Shqipëri. Këshilli bashkiak votoi më 15 Dhjetor 2017 në mënyrë unanime për t’i dhënë titullin Ambasadorit zviceran me motivin: ‘për kontribut të vlefshëm dhe rol aktiv në mbështetje të projekteve të zhvillimit për qytetin e Beratit dhe për forcimin e marrëdhënieve miqësore midis Zvicrës dhe Shqipërisë’.

‘E marr këtë titull sot si një shenjë të mirënjohjes nga Këshilli Bashkiak i Beratit për kontributin e qeverisë time dhe punën që ajo ka bërë përmes bashkëpunimit për zhvillim në vitet e fundit për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve në këtë rajon’, tha Ambasadori zviceran ndërsa mori titullin. ‘Duke filluar nga sot qyteti historik i Beratit është në një farë mënyre qyteti im i dytë’, tha Ambasadori Graf.

Kryebashkiaku Petrit Sinaj në fjalën e tij përmendi faktin që gjatë qëndrimit në Shqipëri Ambasadori Graf ka dhënë maksimumin për projektet dhe fondet e bashkëpunimit që përmirësojnë infrastrukturën dhe mundësitë e rajonit të Beratit. Ai lëvdoi në veçanti përkushtimin e palodhur dhe rolin e luajtur nga Ambasadori Graf për t’u siguruar për progresin e projekteve zvicerane të investimeve në këtë zonë. Së bashku me Kryetaren e Këshillit Bashkiak të Beratit Nikoleta Manka, Kryebashkiaku Sinaj dorëzoi certifikatën dhe pllakën e qytetarisë së nderit.

Pas ceremonisë Kryebashkiaku shoqëroi të ftuarin zviceran në një garë vrapimi të fëmijëve në qendrën e Beratit dhe më pas në një vizitë tek ndërmarrja e ujësjellësit e cila po rinovohet përmes një fondi zviceran.

Qytetarë të tjerë nderi të Beratit përfshijnë arkeologun dhe historianin Moikom Zeqo, gazetarin Ilir Konomi, dhe shkrimtaren Xhanfize Keko (pas vdekjes).

Fondet e bashkëpunimit zviceran janë aktive në Berat në formën e promovimit të turizmit dhe punësimit, rehabilitimit të furnizimit me ujë dhe prezantimit të modeleve të reja për menaxhimin e mbetjeve. Pothuaj 6 milion Euro janë përkushtuar për ndërhyrje të ndryshme që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës.

Marrëveshja më e fundit  e nënshkruar në Dhjetor 2017 parashikon përmirësime madhore në menaxhimin e mbetjeve me përfitim për rreth 230,000 banorë përveç turistëve dhe vizitorëve.