Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale: qendër e re trajnimesh për të nxitur pronësinë intelektuale në Shqipëri

Article, 06.05.2021

Një projekt shqiptaro-zviceran asistoi autoritetet për ngritjen e një qendre trajnimesh dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi pronësinë intelektuale në Tiranë

Citizens receiving information on intellectual property on World Intellectual Property Day, 26 April 2021, Tirana, Albania.
Qytetarë marrin informacion mbi pronësinë intelektuale në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, 26 prill 2021, Tiranë, Shqipëri. ©

Me rastin e Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale projekti Shqiptaro-Zviceran për Pronësinë Intelektuale (ALSIP) asistoi autoritetet me ngritjen e qendrës së trajnimeve dhe promovimin e të drejtave të pronësisë intelektuale përmes stendave informuese në Tiranë. Drejtoria e Përgjithshme për Pronsëinë Industriale udhëhoqi aktivitetet në bashkëpunim me Drejtorinë për të Drejtën e Autorit dhe Inspektoratin për Mbikqyrjen e Tregut.

“Në përpjekjet për të qëndruar një hap para konkurrentëve çdo biznes përpiqet të krijojë produkte të reja dhe të përmirësuara (mallra dhe shërbime) të cilat ofrojnë vlerë më të madhe për përdoruesit dhe klientët. Mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale ëshë një sistem i mirë-organizuar i cili sjell përfitime të mëdha për çdo shoqëri dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor. Jam e lumtur që Republika e Shqipërisë feston Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale krahas vendeve të tjera anëtare në të gjithë botën. Dua të falënderoj projektin Shqiptaro-Zviceran si një partner të fortë të institucioneve të pronësisë intelektuale dhe që na mbështet në arritjen e synimeve tona me veprimtari të ndryshme”, tha Ledina Beqiraj, Drejtore e Përgjithshme për Pronësinë Intelektuale.

Qendra e re e trajnimeve do të ofrojë trajnim, informim dhe punëtori në fushën e pronësisë intelektuale dhe do të shërbejë si një pikë e parë kontakti për qytetarët, krijuesit dhe kompanitë të cilët kanë nevojë për informacion. Si hap të parë projekti ALSIP siguroi pajisje përfshirë laptop, video projektor dhe materiale zyre, dhe në muajt e ardhshëm do të punojë me qendrën për të vendosur module trajnimi në mbështetje të aktiviteteve.

“Ky aktivitet është shtyllë për të ndihmuar në ndërtimin e respektit dhe ndërgjegjësimit për pronësinë intelektuale e cila përfshin më shumë se thjesht zbatim: ne gjithashtu duhet të edukojmë, informojmë, dhe të ndryshojmë qëndrimet. Aktiviteti rriti ndërgjegjësimin e njerëzve mbi të drejtat e autorëve, dhe promovoi një qëndrim ligj-zbatues tek ata, përmes shpërndarjes së materialeve informuese dhe komunikimit parësor me ekspertë të të drejtës së autorit. Duke parë që ndërgjegjësimi mbi të drejtat e autorit në Shqipëri si dhe mundësitë e lidhura me të janë të pashfrytëzuara mirë, fushatat për ndërgjegjësimin e publikut janë shumë të mirëpritura”, Borana Ajazi, Drejtore e Drejtorisë së të Drejtës së Autorit.

Për të shënuar Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, të tre institucionet ngritën stenda informative në vendndodhje kyçe në Tiranë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut mbi çështjet e lidhura me pronësinë intelektuale. Disa fletëpalosje që mbulojnë informacionin mbi regjistrimin dhe mbrojtjen e të drejtave intelektuale u shpërndanë nga stendat.

Megjithëse të dy drejtoritë janë nën ministry të ndryshme, së bashku me Inspektoratin për Mbikqyrjen e Tregut, bashkërendojnë dhe bashkëpunojnë ngushtësisht për të përmirësuar funksionimin e pronësisë intelektuale në vend.

Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale në 26 prill 2021 i dedikohej ndërmarrjeve të vogla e të mesme (SME) të cilat kanë një rol thelbësor në ekonomi dhe të cilat mund të përfitojnë shumë nga pronësia intelektuale.

Asistenca zvicerane për pronësinë intelektuale në Shqipëri zgjat për 4 vite dhe mbështet Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale dhe Drejtorinë për të Drejtën e Autorit në përmirësimin e ligjeve dhe në sjelljen e ekspertizës zvicerane dhe ndërkombëtare.